Setien kërkon fitore në debutimin e tij në ‘Champions’, Pique kërkon kujdes ndaj Napolit

Sport

Quique Setien, trajneri i Barcelonës:
“Kemi patur disa ndeshje shumë të vështira në kampionat kohët e fundit, por ia kemi dalë mbanë. Mendoj se vijmë me moralin dhe dëshirën e duhur për të vazhduar rrugën e fitoreve, ndonëse përpara kemi një kundërshtar të nivelit të lartë. Shpresoj që skuadra të vijojë me standartin e lartë që ka treguar deri më tani, pasi kështu do të mund të luajmë më thjeshtë në mënyrën tonë. Gjithmonë i them lojtarëve se duhet të presin paraqitjen më të mirë të mundshme të kundërshtarin. Nëse nënvlerësojmë rivalët, atëherë sfida mund të marrë një rrjedhë krejtësisht të papritur. Ky është një kompeticion ku të gjitha skuadrat japin maksimumin. Napoli është një ekip që di të të hapë probleme. E treguan qartë edhe në sfidat ndaj Liverpool-it. Për këtë arsye pres një ndeshje shumë të mirë dhe intensive nga ana e tyre, kjo edhe për faktin se luajnë në fushën e tyre. Kjo është ndeshja ime e parë në ‘Champions League’ dhe është një motivim i madh për të arritur një rezultat të mirë. Është një ndeshje speciale dhe do të kërkojmë fitoren që nga fillimi.”
Gerard Pique, mbrojtës i Barcelonës:
“Napoli është përmirësuar shumë në javët e fundit. Mendoj se e kanë kaluar momentin e vështirë dhe kjo na e komplikon jo pak situatën. Ata kanë mposhtur Juventus dhe Liverpool, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm. Duhet të marrim një rezultat të mirë në këtë ndeshje të parë, në mënyrë që të jemi me të qetë në sfidën e kthimit në Spanjë. Nuk dua të flas se sa larg do të shkojmë në këtë kompeticion. Duhet t’i marrim gjërat me radhë. Fillimisht duhet të mendojmë të kalojmë një kundërshtar shumë të rrezikshëm si Napoli dhe më pas të shohim për më tej. Kjo është një ndeshje delikate. Një gabim mund të na kushtojë shumë dhe nuk mund të përsërisim gabimet e së kaluarës.”