S’ka fitues mes Fiorentinës dhe Romës

Sport

Pas 3 fitoreve të njëpasnjëshme në kampionat, Roma është ndalur në javën e 28 të Serie A. Verdhekuqtë nuk shkuan dot më tepër sesa barazimi 2-2 në një transfertë të komplikuar si ajo e Fiorentinës.

Në “Artemio Franchi”, ishin vendasit ata që kaluan të parët në epërsi me anë të Luca Ranierit në minutën e 18. Në këtë mënyrë, Ranieri është bërë qendërmbrojtësi Italian me më tepër gola të realizuar në 5 ligat më të mëdha të Europës, diçka që e bën mjaft të veçantë sezonin e tij.

Në pjesën e dytë, miqtë u përgjigjën me anë të Aouar në të 58-tën, kurse në të 69-tën, Fiorentina u rikthye sërish në epërsi me anë të mesfushorit Rolando Mandragora. Fiorentina u duk më pranë fitores, teksa në minutën e 80-të, fituan penallti, por që shpërdorua nga Cristiano Biraghi. Nga një moment I tillë, që mund të kishte rezultuar vendimtar për fatin e sfidës, Roma barazoi në të 95-tën, me anë të mbrojtësit spanjoll, Diego Llorente.

Në fund, rezultati 2-2 nuk kënaqi asnjë prej të dyja skuadrave, sepse Fiorentina humbi mundësinë për t’u ngjitur në zonën europiane, teksa për momentin mbetet në vendin e 8 në kuotën e 43 pikëve. Nga ana tjetër, Roma, mbetet në vendin e 5, në sasinë e 48 pikëve, me zonën Champions që është vetëm 3 pikë larg, që mbahet nga Bologna.