UCL, Napoli realizon ëndrrën dhe kompleton ecurinë pozitive të italianëve

Sport

Napoli është mes 8 skuadrave më të mira të Europës. Ekipi i Luciano Spalletti-t triumfoi 3-0 në takimin e dytë ndaj Eintrach Frankfurt, duke bërë realitet ëndrrën e të gjithë napoletanëve për të shijuar fazën çerekfinale të ‘Champions League’-ës për herë të parë në historinë e klubit. Një dopietë nga Victor Osimhen dhe penalltia e fituar, e më pas e kthyer në gol nga Piotr Zielinski, kanë kompletuar mision e radhës të kryesuesve të ‘Serie A’. Napoli vijon po ashtu ecurinë pozitive të skuadrave italiane në ‘Champions League’. Për herë të parë që nga sezoni 2005-2006, 3 klube nga ‘Serie A’ do të luajnë në çerekfinale, me shpresën që shorti nuk do t’i vendosë përballë njëra-tjetrës. Osimhen i dha avantazhin skuadrës së kaltër në fundin e pjesës së parë, ndërsa do të dyfishonte gjithçka për vendasit në minutën e 53-të. Nigeriani u bë i pari lojtar në historinë e kësaj skuadre që ia del të shënojë gol në dy takimet e një fazë me eleminim direkt në ‘Champions League’, çfarë dëshmon edhe rëndësinë e 24-vjeçarit për trajnerin Spalletti. Por arritjet e futbollit italian në këtë sezon nuk kanë të bëjnë vetëm me skuadrat e kualifikuara. Për herë të parë në ‘Champions’, janë 4 trajnerë italianë që kalojnë në fazën çerekfinale, me Carlo Ancelotti-n, Simone Inzaghi-t, Stefano Pioli-n dhe së fundmi Luciano Spalletti-n që kompletojnë këtë rekord.