UEFA, Ceferin mohon spostimin e ndeshjeve të Champions League në fundjavë!

Sport

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin ka refuzuar kërkesën që ndeshjet e ‘Champions League’-ës të zhvillohen në fundjavë. Në një takim në Budapest mes zyrtarëve të UEFA-s, presidentët dhe sekretarët e përgjithshëm të 55 federatave pjesë të institucionit më të rëndësishëm të futbollit europian, Ceferin ka analizuar me kujdes edhe kërkesat e ‘Shoqatës së Klubeve Europiane’, në lidhje me formatin e kupave të reja. Këto propozime janë kundërshtuar me forcë nga pjesa më e madhe e federatave europiane, dhe numri 1 i UEFA-s i ka siguruar të gjithë se nuk do të ketë spostim të ndeshjeve të Champions League-ës në fundjavë, ndërsa pritet të analizohen me kujdes dhe kërkesat për krijimin e ndonjë kompeticioni tjetër.

Vetëm finalja e ‘Champions League’-ës do të luhet në fundjavë, ndërsa Ceferin e pranon se një spostim i kompeticionit në fundjavë do të cënonte jo pak të drejtat por edhe financat e kampionateve kombëtarë. Më tej, kreu i UEFA-s është ndalur tek çështja e ‘fair-play’-t financiar, ku skuadrat të cilat nuk kanë fuqi të madhe ekonomike akuzojnë se goditen lehtësisht, ndonëse klube të tjera si PSG apo Manchester City vijojnë të dominojnë merkaton me shifra të çmendura. Në disa raste është përfolur se UEFA po heton raste të tilla por deri më sot nuk ka patur asnjë veprim konkret, ndërsa Ceferin siguroi se në këtë aspekt, institucioni i drejtuar prej tij do të bëjë shumë më shumë për të vendosur drejtësi.