Juventus mendon për zëvendësuesit e Allegrit…

Sport

Konfirmimi i largimit të Allegrit nga kreu i stolit të Juventus, ka vënë në lëvizje drejtuesit e bardhezinjve për të gjetur zëvendësuesin e teknikun livornez. Së fundmi, 2 emrat më të përfolur në ambjentin e Juvetnus janë Pochettino i Tottenham dhe Sarri i Chelseat. I pari do të luajë finalen e Champions League përballë Liverpool, ndërsa ka zëra që thonë se një marrëveshje verbale mes Pochettinos dhe drejtuesve të Juventus është arritur prej kohësh. Por problem duket të jetë paga e majme prej 20 milionë eurosh që tekniku merr tek Tottenham. Juventus nuk ka ndërmend të paguajë aq shumë për trajnerin e ardhshëm dhe kjo bën që vëmendja të kalojë tek Maurizio Sarri.

Të gjitha gjasat janë që Sarri të largohet nga Chelsea pas finales së Europa League-ës dhe tek Juventus janë të gatshëm t’i plotësojnë kushtet e nevojshme për ta bërë Sarrin të firmos një kontratë me bardhezinjtë. Tratativat Sarri-Juventus janë bërë fakt në momentin kur tek Chelsea filluan të qarkullonin lajme se Frank Lampard do të marrë drejtimin e ‘bluve’ të Londrës për sezonin e ardhshëm. Alternativa të tjera për stolin e Juventus thuhet të jenë Thomas Tuchel apo Simone Inzaghi, por këta të fundit nuk kanë pëlqimin e madh të numrit 1 të kluvit, Andrea Agnelli, që kërkon një trajner me peshë për skuadrën, ndaj alternativat Pochettino dhe Sarri duket të jenë më të favorizuara.