UEFA: Ja kandidatët për golin më të bukur të grupeve në Champions

Sport

UEFA ka shpallur kandidaturat për zgjedhjen e atij, që do të jetë goli më i bukur i fazës së grupeve të Champions League 2019-2020. Fituesi do të zgjidhet në bazë të votave, që do të japin tifozët dhe dashamirësit e futbollit, në faqen zyrtare të organizmit më të lartë të futbollit kontinental. Pjesë e kandidaturave për t’u votuar është goli i Luis Suarezit të Barcelonës, në sfidën e luajtur në “Kamp Nou” përballë Interit.
Gjithashtu, edhe zikaltërit kanë një përfaqësues mes 4 kandidaturave dhe bëhet fjalë për golin e Lautaro Martinez kundër Slavias në Pragë. Po ashtu Juventusi përfaqësohet me një gol, pikërisht me atë të Duglas Costa në transfertën përballë Lokomotivës. Ndërsa një emër jo fort i njohur është Marcel Sabitzer i Lajpcigut, por që befasoi jo pak me golin e realizuar në fitoren 2-1 ndaj Zenitit.