Zbuloni ndryshimet e kombëtares për ndeshjen kundër Moldavisë

Sport

Kombëtarja shqiptare në futboll ka dhënë sinjale pozitive në Reykjavik, megjithëse nuk shmangu dot humbjen. Kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje realtivisht të mirë në sfidën e humbur kundër Islandës me rezultatin 1-0. Ekipi i Edy Rejës u përpoq shumë, por në fund rëndësi kanë pikët dhe fitorja e Turqisë ndaj Francës i jep një shkelm të fortë ëndrrës për kualifikimin në Euro2020. Me përzgjedhësin e ri Edy Reja janë shfaqur përmirësime të dukshme në lojën e Shqipërisë, megjithëse edhe dobësitë ishin evidente. Veçanërisht, përfaqësuesja kuqezi u dënua nga një gabim i mbrojtjes në golin e Gudmundsson në minutën e 22′. Ai çau Ismajlin dhe Dermakun në qendër, duke mos falur me gjuajtjen e tij as portierin Etrit Berisha.


Reja vuajti mungesat e dy titullarëve Mërgim Mavrajt dhe Berat Gjimshitit në qendër të prapavijës: i pari i skualifikuar, ndërsa tjetri i dëmtuar. Mirëpo sfida e radhës që luhet të martën ndaj Moldavisë mund dhe duhet të ketë një melodi tjetër. Mavraj rikthehet i gatshëm dhe me shumë mundësi 33-vjeçari do të luajë nga minuta e parë. Reja duket se ka besim tek ai, pavarësisht se karriera e kapitenit është vendosur paksa në dyshim pas rënies së Ingolstadt-it nga Bundesliga 2.
Ndërkohë, pas tri ndeshjeve, Shqipëria është e katërta në grupin H me tri pikë, sa i ka edhe Moldavia në vend të pestë. Turqia me fitoren ndaj Francës ka bërë shkëputjen e madhe dhe udhëheq me nëntë pikë. Ndërsa nga gjashtë pikë i kanë Franca e Islanda. Kështu gara për vend të dytë me shumë mundësi do të zhvillohet mes Turqisë e Islandës ndonëse kuqezinjtë mundohen të mbajnë veten shpresë të paktën për t’u përfshirë. Ndonëse për këtë do të duhet një mrekulli.