Zidane del në mbrojtje të lojtarëve të tij, Sergio Ramos bën autokritikë

Sport

Zinedine Zidane, trajneri i Real Madrid:

“Ky është një shans i mirë për të provuar veten tonë. Nuk kemi patur vazhdimësi në rezultatet tona dhe kjo është diçka që duhet të ndryshojë sa më shpejt, pasi nuk jemi më në fillim të sezonit. Për më tepër luajmë në një kompeticion, ku çdo ndeshje është delikate. Lojtarët e mi kanë patur shumë presion gjatë këtyre javëve. Edhe kritikat e panevojshme nuk kanë munguar. Kam qenë pjesë e kësaj skuadre për 18 vite dhe e di shumë mirë se si ndihen dhe se çfarë u duhet të kalojnë. Por ata janë të gjithë profesionistë, lojtarë të klasit të lartë që kërkojnë të tregojnë veten e tyre sa herë u jepet mundësia. Kemi nevojë të marrim 3 pikët në këtë sfidë, por kundërshtari është i fortë, prandaj nuk do e kemi aspak të lehtë. Për më tepër luajmë në një stadium me shumë peshë. Nuk na lejohen më gabimet, prandaj kjo mund të jetë një sfidë që vendos shumë.”

Sergio Ramos, kapiteni i Real Madrid:

“Jemi të përqëndruar për të marrë vetëm fitoren. Kjo është ajo çfarë na nevojitet dhe kjo është ajo për të cilën do të luftojmë. Është e vështirë të nxjerrësh konkluzione të sakta kur rezultatet nuk janë të mira. Ka shumë gjëra të cilat na duhet t’i përmirësojmë. Ne jemi të parët që jemi treguar realistë me situatën në të cilën ndodhemi aktualisht dhe po ne duhet të jemi të parët që reagojnë. Ndonjëherë duket se e kemi të vështirë të hyjmë në ndeshje dhe duhet të përpiqemi ta shmangim këtë, pasi deri më tani na ka kushtuar jo pak.”