Laboratori i drogës, itinerari i kolumbianëve

Sociale

10922702 887545124628981 7394496526054047142 n-250x165
Policia ka mundur të mësojë itinerarin e ndjekur nga dy kolumbianët për të mbërritur në Shqipëri. Burime pranë uniformave blu thanë se Cesar Adolfo Avila dhe Walther Moreno kanë hyrë në Shqipëri legalisht si turistë. Ata kanë kaluar nga pika e kalimit kufitar të Kakavijës më 8 nëntor të vitit 2014. Kolumbianët që punonin në laboratorin e përpunimit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit janë futur në Kakavi me një makinë me targa, AA 877 CF, në pronësi të një shtetasi shqiptar me inicialet V.Gj. Nga të dhënat që disponojnë hetuesit dy kolumbianët janë paraqitur si turistë në pikën e kalimit kufitar dhe në deklarimet e tyre kanë thënë se vinin në Shqipëri për festat e fundvitit. Prokuroria ende nuk ka nxjerrë urdhër ndalimi për pronarin e automjetit me të cilin kanë hyrë kolumbianët ndërkohë që vijojnë verifikimet për të mësuar nëse ai kishte njohje me to. Gjatë operacionit antidrogë në Xibrakë të Elbasanit Policia sekuestroi 97 kg kokainë të pastër dhe rreth 100 kg lëndë kimike që dyshohet se është e përzier me droge. Gjatë arrestimeve u sekuestruan gjithashtu 380 mijë euro, armë të disa llojeve, pajisje e mjete të ndryshme laboratorike si dhe 4 automjete që përdoreshin nga të dyshuarit për të lëvizur. Mbrëmjen e se enjtes u shpall në kërkim 35-vjeçari Genci Xhixha si i përfshirë në trafik ndërkohë që njëri prej të arrestuarve Egest Dankësi u la i lirë.