Ndahet nga jeta ylli i hitit “What You Won’t Do For Love”, Bobby Caldwell

Showbiz

Këngëtari legjendar amerikan, Bobby Caldwell është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare, pas një periudhe gjashtëvjeçare vuajtjesh nga antibiotikët. Ndarja nga jeta e krijuesit të hitit “What You Won’t Do For Love” u konfirmua nga bashkëshortja e tij. Caldwell ndrroi jetë paqësisht në gjumë në rezidencën e tij në New Jersey.

Sipas raportimeve të mediave prestigjoze si TMZ, apo Daily Mail këngëtari nuk kishte qenë në gjendje të ecte për rreth pesë viteve të fundit pasi ishte përballur me periudha të dhimbshme të neuropatisë dhe një këputje të tendinit në kyçin e këmbës. Ai filloi të këndonte në vitet 1960, që kur ishte adoleshent dhe gjatë karrierës publikoi disa albume që përfshijnë këngë të zhanreve R&B, soul e xhaz. Bobby Caldwell mori vlerësime të shumta për performancat e tij, si nga kritikët e industrisë ashtu edhe nga fansat besnikë.

Ai u rrit duke dëgjuar Frank Sinatrën, Tony Bennett, e The Beatles. Duke u ndikuar prej tyre, ai e reflektoi këtë në krijimtarinë artistike, shkrimin e këndimin e këngëve të tij.