Alisson flet për çështjen e ‘Topit të Artë’

Sport

Alisson Becker u zgjodh si portieri më i mirë nga UEFA për kontributin që braziliani dha në triumfin e Liverpool në ‘Champions League’ sezonin e kaluar. Mirëpo pas suksesit të Brazilit në ‘Copa America’, prej disa kohësh emri i Alisson është përmendur si një kandidat potencial për të fituar ‘Topin e Artë’. Shumë tifozë e shohin si një vlerësim që 26-vjeçari e meriton plotësisht, ndonëse ka konkurencën e fortë të emrave si Lionel Messi apo Virgil Van Dijk. Vetë Alisson është shprehur se ndjehet mirë kur lexon se ka njerëz që e shohin si fitues të ‘Topit të Artë’, por ai mbetet me këmbë në tokë, duke shtuar se diçka e tillë është e vështirë të bëhet realitet.
“Ndihem krenar kur lexoj të tilla gjëra, pasi do të thotë që kam bërë një punë të mirë dhe njerëzit më vlerësojnë. Por e di që nuk është e lehtë. Jam i ndërgjegjshëm se konkurenca është shumë e fortë.”


Sipas Alisson, fakti që është një portier nuk e ndihmon aspak në këtë garë për trofeun më të rëndësishëm individual. Ai e pranon se goli mbetet gjëja me e rëndësishme në futboll dhe për këtë arsye, një mesfushor dhe për më tepër një sulmues është më i avantazhuar. Braziliani shpreson që një ditë kjo gjë të ndryshojë dhe mbrojtësit apo portierët të vlerësohen edhe më shumë. Çmimi i fituar nga Van Dijk si lojtari më i mirë në Europë në sezonin e shkuar shihet si një shenjë se gjërat kanë filluar të lëvizin, por gjithësesi Alisson thotë se duhet ende shumë punë për t’i dhënë të gjithëve vlerësimin e merituar.