Demtohet Hernandez, humbet Empolin, rrezikon Chelsea-n

Sport

Milani ka nisur të shqetësohet për gjëndjen e Theo Hernandez. Francezi ishte lojtari më i mirë i kuqezinjve në takimin e humbur kundër Napolit, por konsumi i jashtëzakonshëm i energjive dhe intensiteti i lartë i ngarkesës fizike ka bërë që  24 vjecari të vuaj pasojat. Hernandez ka një tërheqje muskulore dhe përvecse nuk do të luajë me përfaqësuesen francezen në takimet ndaj Austrise e Danimarkes do të humbasë edhe ndeshjen e kampionatit kundër Empolit më 1 tetor. Se si do të vijojë rekuperimi kjo mbetet për tu parë, por ekziston mundësia që kjo tërheqje në aduktorin e këmbës së djathtë ta mbajë lojtarin jashtë edhe për takimin shumë të rëndësishëm kundër Chelsea-t në Champions League, madje ka gjasa që mbrojtësi i majtë të mos jetë i gatshëm edhe për sfidën përballë Juventusit më datë 8 tetor.

 

Një lajm jo i mirë për trajnerin Stefano Pioli, i cili aktualisht nuk e ka një futbollist zëvendësues për Theo Hernandezin, në atë rol mund të luajnë Ballo-Toure dhe Sergino Dest, por për momentin diferenca teknike me francezin është e madhe dhe pritet që kjo mungesë ta ndikojë jo pak ekipin kampion të Italisë. Ndërkohë që nuk ka probleme për Calabrian i cili u largua pas pjesës së parë kundër Napolit për një shqetësim muskulor. Kujtojmë që sezonin e shkuar Milani vuajti shumë nga dëmtimet, teksa edhe në këtë edicion edhe pse jemi në etapat e para, kanë munguar Ibrahimovic, Rebic, Origi e Florenzi.