F1, Hamilton nuk e sheh Red Bull në të njejtin nivel si Ferrari dhe Mercedes

Sport

hamilton

Red Bull e nisi sezonin 2018 me shpresa të mëdha për të vazhduar paraqitjet e mira të bëra në fundin e sezonit të kaluar, mirëpo deri më tani, skuderia austriake ka zhgënjyer në të qënit kërcënues për dy skuadrat kryesore, Ferrari dhe Mercedes.  Për këtë nuk ka ngurruar të flasë as kampioni i botës në fuqi, Lewis Hamilton, i cili shprehet se Red Bull ka një makinë të mirë dhe me një potencial të shkëlqyer për të arritur rezultate të mira, por sipas pilotit britanik ajo çfarë i mungon kësaj skuderie është vazhdimësia. Piloti i Mercedes shton se dy makinat Red Bull kanë provuar se janë shumë të shpejta në vijë të drejtë dhe se kjo mund t’i bëjë ata të jenë konkurues. Megjithatë, Hamilton përsërit se për sa kohë që kjo skuderi nuk ka vazhdimësi, atëherë nuk mund të performojë njësoj si Ferrari apo Mercedes. 

ham

Në Bahrein, Hamilton pati një kontakt në fillim të garës me makinën e Max Verstappen, që e detyroi këtë të fundit ta mbyllte aty fundjavën në Sakhir. Mes dy pilotëve pati shumë polemika dhe gjuhë të ashpër, por tani Hamilton duket se kërkon të qetësojë disi situatën dhe t’i lërë kohë holandezit 20-vjeçar të fitojë eksperiencë. Pikërisht mungesa e eksperiencës sipas britanikut ka qenë shkaku pse Red Bull-i i Verstappen nuk ka grumbulluar pikët që priteshin. Ai shton se në rast se makinën e tij do ta pilotonte dikush si Fernando Alonso apo vetë Hamilton, atëherë Red Bull do t’u gëzohej rezultateve shumë më të mira. Këtë çështje, 33-vjeçari e mbyll duke thënë se shpreson që Verstappen të mësojë nga të gjitha këto episode, për t’u përmirësuar çdo ditë e më shumë.