HYSAJ, LOJTARI ME I AKTIVIZUAR NGA SARRI NE KARRIEREN E TIJ

Sport

Elseid Hysaj është ndoshta surpriza më e madhe e këtij sezoni në radhët e skuadrës së Lacios. Pas një viti të parë bardhekaltër me më shumë hije sesa dritë, anësori që është edhe kapiten i Kombëtares shqiptare, ka ditur të marrë një revansh të bukur. Ish-lojtari i Napolit ka ditur të rifitojë fanelën e titullarit, duke marrë edhe përgëzimet e Mauricio Sarrit. Tekniku njeh mirë mbrojtësin shqiptar, i cili është një besnik i tij që nga koha e Empolit. Sikur të mos mjaftonte kaq vjen edhe një statistikë domethënëse në këtë drejtim. Nga 404 ndeshje të luajtura nga Hysaj tek Empoli, Lacio dhe Napoli, anësori ka zhvilluar plot 315 nën drejtimin e Sarrit, pra rreth 78%. Kështu, shkodrani është lojtari më i aktivizuar në karrierë nga ana e teknikut aktual bardhekaltër. Ai, që në radhët e lacialëve ia hoqi statusin e titullarit në shkurtin e 2022-shit, për t’u bindur që t’ia dorëzojë sërish nëntorin e kaluar. E nga atëherë, Hysaj është vazhdimisht stabël në 11-shen e bardhelatërve.

Vërtet numra të rëndësishëm edhe për vetë shkodranin, që nga sfidat ndaj Specias ka kujtime të bukura. Pikërisht ndaj kësaj skuadre, Hysaj ka shënuar edhe golin e vetëm me uniformën e Lacios, konkretisht në gushtin e vitit 2021 në Olimpik të Romës. Herën e parë që u paraqitën bashkë me Sarrin në Specia, 10 vite më parë në Serinë B, Hysaj dhe tekniku humbën 3-0 me Empolin. Mirëpo ajo mbetet humbja e vetme në 8 precedentë të shqptarit kundër skuadrës nga Liguria.