Hysaj vlerësohet nga Eurosport dhe nga Gatuzo

Sport

Napoli mori fitoren e tretë radhazi, pasi të hënën mposhti Sampdorian me rezultatin 2-4 në sfidën e vlefshme për javën e 22-të të Serisë A. Vendimtar me kontributin e tij në mbrojtje rezultatoi edhe mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, pavarësisht se nuk shënoi ashtu si Milik, Elmas, Demme dhe Mertens. Shkodrani është shndërruar në një titullar të padiskutueshëm te skuadra e kaltër, që kur në stol u ul trajneri Genaro Gattuso.


Edhe të hënën në “Marasi” të Xhenovas ai u aktivizua për 90 minuta. Teksa paraqitjen e tij, “Eurosport” e ka vlerësuar me notën 5.5, vetëm sepse në momentin e shënimit të golit nga Kualjarela, kapiteni i Kombëtares rrëshqiti, duke humbur kontrollin. Pikërisht ky moment ka ulur edhe vlerësimin e marrë në gjysmë note më pak. Ndërkohë që kamerat e Sky e kanë kapur Hysajn edhe një moment nervozizmi pas golit, kur në buzët e tij lexohen fjalët “Si dreqin është e mundur?”.
Gjithsesi, në përgjithësi, paraqitjet e tij kanë lënë të kënaqur ish-teknikun e Milanit, Gatuzo, i cili në fund të ndeshjes me Sampdorian foli edhe për mbrojtësin e Shqipërisë. “Sa i rëndësishëm është Hysaj? Aq sa të gjithë. Por nëse luan në rolin e tij, ashtu siç ai ka luajtur në 7-8 vitet e fundit, mund të jetë i aftë të shkruar nga ato librat që janë me katër rreshta paragrafi. Me pak fjalë është i përgatitur dhe na ndihmon shumë”, përfundoi Gatuzo.