Merkato, Juventusi refuzon 40 milionë euro të Arsenalit për Benatian

Sport

Medhi Benatia

Medhi Benatia është ai mbrojtës që Juventusi kërkonte prej kohësh dhe pikërisht ai është objektivi i klubeve të mëdha për merkaton e janarit. Autori i golit në fitoren 1-0 ndaj Romës, thuhet se ka tërhequr vëmendjen e Arsene Wenger duke bindur tërësisht me formën e tij pas një serie lëndimesh. Shtatlarti maroken ka luajtur këtë sezon 14 ndeshje duke realizuar edhe 2 gola. Kjo është periudha më e mirë e tij që pas sezonit 2013-2014-të kur me Romën shënonte 5 gola dhe luante pa pushim gjatë gjithë vitit. Lëndimet dhe problemet muskulore i shkurtuan përvojën te Bayerni dhe tashmë me Juventusin duket i rilindur. Për këtë shtypi britanik dhe ai italian raporton se Arsene Wenger i ka kërkuar bardhezinjëve shërbimet e tij. 40 milionë euro thuhet se ka qenë oferta konkrete, por që nga ana e drejtuesve të Juventusit janë refuzuar. Te kampionët e Italisë besojnë fort te dyshja e krijuar Benatia-Chiellini, të cilët në 8 ndeshjet e fundit kanë mundur t’i mbyllin tërësisht hapësirat duke bërë që Juventusi të mos pësojë gol prej më shumë se 740 minutash. Në fakt në humbjen 3-2 ndaj Sampdorias më 19 nëntor, Benatia nuk ishte në fushë dhe pika e kthesës ka qenë pikërisht ri-integrimi në formacion i tiji. Ndërkohë drejtuesit bardhezi po mundohen të mbajnë në skuadër Alex Sandron dhe Howedesin, dhe nga ana tjetër të konkretizojnë transferimin e Emre Can nga Liverpooli, cka do ta bënte skuadrën edhe më të plotë.