NBA, Brooklyn ndalet nga Chicago; Bucks e Sixers fitojnë në shtesë

Sport

Merr fund seria prej 11 fitoresh radhazi nga Brooklyn Nets, të cilët u ndalën 112-121 nga Chicago Bulls. Edhe pse vinin si favoritë absolutë, njujorkezët u surprizuan nga skuadra e trajnerit Donovan, duke siguruar një avantazh prej 7 pikësh brenda periodës së parë. Ata të Nets provuan të reagonin në periodën e tretë, por gjithësesi Bulls ia dolën që para tifozëve të tyre të merrnin fitoren e 17 në këtë sezon. DeMar DeRozan ishte shënuesi më i mirë për ta me 22 pikë, ndërkohë që tek Nets, Irving shënoi 25, ndërsa Kevin Durant plot 44, por që vlejnë vetëm për statistikat e tij personale.

Fitore në kohën shtesë për Milwaukee Bucks dhe Philadelphia 76ers. Bucks mposhtën 104-101 Toronto Raptors, falë një tjetër paraqitjeje të madhe të Giannis Antetokoumpo. Greku kompletoi një ‘triple-double’, me 30 pikë, 21 ribaunde e 10 asiste. Ndërsa Sixers triumfuan 129-126 ndaj Indiana Pacers, duke iu falur James Harden. ‘The Beard’ regjistroi 26 pikë, 6 ribaunde e 8 asiste, por ishte i rëndësishëm edhe me një bllok në fundin e ndeshjes, që siguroi fitoren për ekipin e trajnerit Doc Rivers.

Detroit Pistons morën një triumf befasues ndaj Golden State Warriors, 122-119, në një ndeshje që pati emocione të forta deri në sekondën e fundit. Klay Thompson lëshoi një gjuajtje të saktë për 3 pikë, duke barazuar takimin, teksa kishte mbetur një sekondë nga fundi. Por një tentativë, në dukje e dëshpëruar e Sadiq Bey, po për 3, rezultoi e saktë, çfarë bëri që Pistons të ndalnin vrullin e kampionëve në fuqi të NBA. Fitore në limite për Los Angeles Lakers dhe Atlanta Hawks. Lakers-at luanin pa LeBron James, por ia dolën të triumfonin 112-109 ndaj Miami Heat. Kurse ata të Hawks morën një fitore me peshën ndaj Sacramento Kings, me rezultatin e ngushtë 120-117, duke iu falur një koshi të sekondave të fundit nga Dejounte Murray. Vijojnë formën e mirë ata të Cleveland Cavaliers, që këtë herë mposhtën 90-88 Phoenix Suns. Caris LeVert dhe Donovan Mitchell shënuan respektivisht 21 e 20 pikë, ndërsa koshi vendimtar i takimit, u realizua nga i riu Evan Mobley.