Shpresat, Portugalia bëhet makth

Sport

portugali-shpresat
Portugalia është kthyer në makth për Shpresat e Jupit, që kanë pësuar humbje tjetër të thellë në ndeshjen e kthimit të eliminatoreve të Europianit U-21 kundër moshatarëve iberikë. Sfida e parë e luajtur në Tiranë përfundoi 6-1, ndërsa kjo e zhvilluar të enjten në Portugali fiksoi shifrat 4-0. E sikur mos mjaftonte rezultati, skandali i radhës ka ardhur me uniformat, që kanë qenë të bardha me shirit blu, njësoj si ato të Greqisë. Diçka e përsëritur, përderisa me fanella të tilla kishte luajtur edhe Kombëtarja e madhe në humbjen 2-0 të eliminatoreve të Botërorit 2014. Duke bërë mjaft bujë edhe atëherë.
Në Portugali, kuqezinjtë ia kanë dalë të rezistojnë për vetëm përgjatë pjesës së parë të lojës, atëherë ku pësuan vetëm një gol, në fundin e saj. Por me të nisur e dyta, menjëherë ka ardhur edhe dyfishimi i rezultatit, që më pas është pasur edhe nga goli i tretë në minutën e 60-të dhe i katërti në të 82’. Thellimin e mëtejshëm të shifrave e shmangu portieri Strakosha, më I miri në fushë. Tani të hënën në Elbasan, Shpresat e Jupit me 5 pikë pas 5 takimesh, kanë një duel ndaj Lihtenshteinit, ku duhet të bëjnë të harrohet makthi portugez.