Dermaku vendos dhe tregon të ardhmen e tij

Sport

Që kur u kthye Bruno Alvesh nga dëmtimi, Kastriot Dermaku nuk kishte luajtur në radhët e Parmës si titullar. Shansin e tij e rigjeti kur skuadra emiliane u përball me Romën në takimin e vlefshëm për Kupën e Italisë. Megjithatë, ekipi i mbrojtësit shqiptar nuk ia doli të kualifikohej në çerekfinale, duke u mposhtur 0-2 nga kryeqytetasit. Gjithsesi, vetë Dermaku në përfundim të ndeshjes u shpreh se tashmë përqëndrimi duhet të kaloj në kampionat.
“Dhamë gjithcka dhe humbja na lë shije të hidhur. Luajtëm kundër një skuadre të madhe, e cila e tregoi veten në pjesën e dytë. Gjithjsesi Tani vëmendja duhet të kaloj te kampionati. Nuk është e lehtë kur ndryshojnë shumë lojtarë në formacion, por i ka bërë mirë atyre që kanë pasur më pak minuta në këmbë”, deklaroi mbrojtësi i Kombëtares shqiptare.
Ndër të tjera, Dermaku ka dashur të sqarojë se pavarësisht lakimit të emrit në merkato, ai synon të qëndrojë te Parma, teksa ka vlerësuar edhe pjesën e parë të sezonit me verdheblutë. “Kam luajtur dhjetë ndeshje mes Kupës dhe kampionatit dhe nuk e kisha menduar se do kisha kaq shumë hapësira. Prandaj mund të them se ndihem i kënaqur. Sa i takon merkatos di të them se nuk kam folur me asnjë skuadër, sepse këtu ndihem mirë. Qëllimi im është të mos largohem nga Parma”, përfundoi ish-lojtari i Empolit dhe Kozencës.