Portugali, Porto në Do Dragao luan sot për të rifituar kryesimin e Primeira-Ligas

Sport

portofvc

Pesë ditë pasi humbi gjysmë-finalen e dytë kundër Sportingut në Kupën e Portugalisë, Porto synon sot t’i rikthehet me optimizëm kreut të kampionatit, kjo për të garantuar se sezoni do të mbyllet me së paku një trofe të rëndësishëm. Në Do Dragao bardhë-e-blutë e Sergio Conceicaos presin Setubalin që luan për mbijetesë. Situata kërkon medoemos fitore. Suksesi në sekondat e fundit i Benficas ndaj Estorilit i ka nxjerrë shqiponjat në krye me një diferencë prej vetëm 1 pike, por gjërat mund të ndryshojnë sot. Prandaj tifozët kanë premtuar një stadium të tejmbushur për t’i shërbyer skuadrës deri në fund. Në fakt deri në mesditën e së hënës A Bola raportonte për shumë pak bileta të mbetura nga 50 mijë vendet e mundshme në Do Dragao. Për ndeshjen, Conceicao nuk do të ketë në dispozicion Otavion, i pezulluar dhe po kështu Danilo Pereiran, të lënduar. Kundër Setubalit Porto nuk ka humbur kurrë në 45 ndeshje të luajtura. Rezultat më i mirë për miqtë kanë qenë vetëm 6 barazime. Megjithatë në kohën kur Setubal ka 29 pikë dhe diferenca me Estorilin e vendit të fundit është vetëm 3, e bën situatën tejet të paparashikueshme. Për këtë Conceicao ka kërkuar angazhim maksimal dhe aspak nënvlerësim. Humbjet me Belenenses apo Ferreiran janë ato që peshojnë shumë dhe dragojtë kërkojnë të mos i bëjnë më dhurata Benficas.