Real Madrid drejt rinovimit me një futbollist, Gareth Bale zyrtarizon largimin

Sport

Eder Militao drejt rinovimit të kontratës deri në vitin 2028 me Real Madrid. Marrëveshja aktuale e mbrojtësit të qendrës përfundon në 2025-të, por klubi madrilen kërkon të blindojë lojtarin. Në marrëveshjen e re, do ketë përmirësim edhe të termave financiarë.

Sikurse raportojnë mediat e huaja, Militao do përfitojë 10 mln euro në sezon. Mirëpo nuk është vetëm kjo arsyeja që Reali po përshpejton rinovimin e shtatlartit. Me vetë veprim, presidenti Florentino Perez kërkon t’i japë më tepër besim Militaos, se ai është një ndër futbollistët më të rëndësishëm të skuadrës dhe konsiderohet pjesë e projektit të së ardhmes.

Militao është vetëm 24 vjeç dhe në 3 sezonet e tij të para në Madrid, ka arritur të fitojë 2 tituj të La Ligas, 2 Superkupa të Spanjës. Mirëpo, qershia mbi tortë është trofeu I Champions League I fituar këtë edicion, në finalen e Stade de France ndaj Liverpool.

Në këto suksese të Real Madrid, Militao padyshim që ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm. Së bashku me David Alaban, këtë vit futbollistik kanë mbuluar qendrën e mbrojtjes madrilène, duke mbuluar mjaft mirë pasiguritë që lanë largimet e Sergio Ramos dhe Rafael Varane.

Ndërkohë, në Madrid pritet të jetë një verë tepër aktive dhe në fakt e tillë duket. Nëse dikush është pranë rinovimit, dikush tjetër harton planet larg kampionëve të Europës. Pas largimeve të Marcelos dhe Iscos, tashmë është radha e Gareth Bale që të deklarojë divorcin me 14 herë fituesit e Champions League.

Me anë të një letre zyrtare të publikuar në rrjetet sociale, uellsiani ka njoftuar zyrtarisht ndërprerjen e aventurës me klubin spanjoll, duke qenë se në fund të qershorit I përfundon edhe kontrata. Sulmuesi i falenderon të gjithë ata që e kanë përkrahur përgjatë këtij rrugëtimi 9 vjeçar, duke filluar që nga trajnerët me të cilët ka punuar, lojtarët, apo edhe tifozët.

Gjatë kësaj kohe, Bale fitoi 19 trofe me Realin, ku veç të tjerash, vlen të theksohet triumfi i 5-fishtë në Champions League.