Serie A, Atalanta në kërkim të një fantazisti, pasi Malinovskyi ka kërkuar largimin

Sport

Atalanta shijoi frytet e punës në merkato në javën e parë të ‘Serie A’, ku protagonist me gol ishte një nga blerjet e kësaj vere, Ademola Lookman. Bergamaskët gjithësesi do të duhet të rikthehen në merkato e të kërkojnë një fantazist, pasi siç raportohet së fundmi, Ruslan Malinovskyi ka kërkuar largimin nga skuadra. Dyshimet janë shuar pas publikimit të disa fotove me shkrime të partneres së lojtarit ukrainas, që pavarësisht dëshirës së madhe të familjes së tij për të vijuar jetën në Bergamo, nuk mund t’i anashkalojë problemet në marrëdhëniet me trajnerin Gasperini apo edhe me drejtuesë të tjerë të skuadrës. Pavarësisht përpjekjes së palëve për të rikthyer gjërat në normalitet, kjo gjë nuk ka ndodhur dhe tani lojtari është i gatshëm të largohet tek një klub tjetër. Për kartonin e tij janë disa skuadra që mund të investojnë, pasi shohin cilësitë e duhura tek ukrainasi për të rritur cilësinë sa i përket fantazisë që mund të sjellë 29-vjeçari. Aktualisht, Malinovskyi është në vitin e fundit të kontratës së tij me Atalanta-n, që ka parë t’i refuzohen të gjitha ofertat për rinovimin me lojtarin. Në këtë situatë, drejtuesit e bergamaskëve janë të detyruar ta largojnë mesfushorin brenda kësaj vere, pasi në rast të kundërt, do ta humbisnin me parametra zero në fund të sezonit të ri. Ukrainasi u bë pjesë e skuadrës italiane në korrikun e 2019-ës, pasi Atalanta shpenzoi rreth 14 milionë euro për të marrë kartonin e tij nga belgët e Genk. Në sezonin e shkuar, Malinovskyi shënoi 10 gola e shërbeu 7 asiste në të gjitha kompeticionet, teksa ishte edhe lojtari që krijonte më shumë raste shënimi për shokët e tij të skuadrës. Deri në shkurtin e këtij viti, ai cilësohej si një titullar i padiskutueshëm tek Atalanta, por më pas, marrëdhënia e tij me trajnerin Gasperini dhe drejtuesit e ekipit ndryshoi, duke bërë që 29-vjeçari të mos shihej më si i pazëvendësueshëm.