Starton transmetimin në Living HD spektakli i modës


Platforma Tring tashmë sjell në Shqipëri formatin e njohur ndërkombëtar Shopping Night pas suksesit në vende si Anglia, Spanja dhe Italia. Ky reality mode starton në datën 22 qershor në Kanalin Living HD në orën 17.30.

Shopping Night është një lojë e vërtetë, e bazuar në stil e spektakël. Në çdo episod, tre konkurrentë do të gëzojnë qasje ekskluzive në një Qendër Tregtare, e hapur e tëra vetëm për ta. Qendra tregtare për sezonin e parë është ETC. Sfiduesit do të kenë pak minuta në dispozicion për të gjetur veshjen e duhur për një rast të veçantë. Sfida do të jetë e hapur për çdo grupmoshë e gjini. Kush prej tyre do të dëshmojë shije, stil dhe sensin e modës, do të shpallet ylli i Shopping Night.

Moderatori i My Living, Xhani Shqerra, do të jetë mikpritësi i konkurrentëve për t’i udhëzuar drejt zgjedhjes së duhur, ndërsa fituesi do të shpallet së bashku me dy personazhe Vip, të njohur për stilin e tyre apo angazhimin profesional në botën e modës.

Një format i cili rreket të edukojë shijet e të japë disa leksione bon toni për sa i përket kodit të veshjes.