FERMA VIP – REALITY SHOW QË DO TË VENDOSË STANDARDE TË REJA NË SHQIPËRI

Programe

 

Për herë të parë në Shqipëri, vjen “FERMA VIP”, një patentë origjinale dhe prestigjioze suedezo-norvegjeze, e realizuar me sukses në më shumë se 30 shtete të botës, me edicione të përvitshme, që kanë nisur që në 2001. Një super produksion për të cilin po punohet intensivisht prej kohësh, nën drejtimin e producentes Holta Kolaneci, që do të takojë shikuesin shumë shpejt, në ekranin e VIZION PLUS dhe në TRING me dy kanale të dedikuara 24/7.

E madhe ka qenë jehona e deritanishme, kureshtja ende pa nisur, po të shumtë emrat që janë përfolur e diskutuar në portale apo rrjetet sociale, si konkurrentë, si të ftuar, apo si prezantues të spektaklit të madh. Me disa prej personazheve tashmë të zbuluar, si Bes Kallaku, Sinan Hoxha, Adrola Dushi, Çiljeta Xhilaga, por rolet e të cilëve janë ende të paidentifikuar në formatin novator, do t’ia lëmë produksionit efektin surprizë për të tjerë personazhe, por mund t’ju paraprijmë vetëm se i gjithë kasti që do t’i bashkohet edicionit të parë të “FERMA VIP” do të jetë i jashtëzakonshëm, ndër më të njohurit dhe më të dashurit e artit, medias apo rrjeteve sociale.

Ky është një reality show ndryshe, i paeksploruar asnjëherë më parë në vendin tonë, një reality show që sfidon njeriun dhe personazhin, që sfidon rezistencën fizike, durimin, aftësinë për të mbijetuar, për t’u përshtatur, për të jetuar e bashkëvepruar në komunitet. Një eksperiment shumëdimensional që i “zbath” konkurrentët para shikuesit, që i zhvesh ata nga petku i jetës së përsosur dhe shkëlqimi i botës mondane, për të nxjerrë në pah të tjera tipare, që do t’i bëjnë të duken edhe më bukur, ndoshta më bukur nga sa kanë qenë ndonjëherë, në sytë e publikut që i ndjek dhe i adhuron.

Një fermë e mirëfilltë, gjigante, e vendosur në mes të natyrës dhe tokës, për të cilat pjesëmarrësit do të kujdesen me përparësi. Një grup prej 16 konkurrentësh, të gjithë personazhe shumë të famshëm, që do të mbathin çizmet, do të marrin në krahë “kazmën e lopatën”, do të përveshin mëngët, do të pajisen me gjithë forcën dhe energjinë që u nevojitet dhe do të punojnë si çdo fermer tjetër, do të merren me rritjen e mbarështimin e kafshëve, do të punojnë tokën, pra, do të bëhen bujq e blegtorë në kuptimin e parë të fjalës, për të siguruar ecurinë e tyre në program, rrugëtimin drejt finales dhe çmimit të madh. Një aspekt ky që do ta bëjë këtë reality absolutisht më interesantin për t’u ndjekur, pasi në fermën e VIP-ave, asgjë nuk dhurohet, gjithçka duhet fituar me mund, shpeshherë edhe ushqimi dhe të mirat bazike të jetesës.

Kohëzgjatja e spektaklit pritet të jetë rreth 90 ditë dhe çdo javë njëri nga konkurrentet do të eliminohet përmes një dueli kokë më kokë me një tjetër konkurrent, ku do të vihet në provë rezistenca fizike dhe forca dhe më pas përmes televotimit. Provat dhe rolet e personazheve do të jenë të shumta dhe të shumëllojshme dhe do t’u sigurojnë atyre shpërblim në ushqim apo imunitet nga nominimet.

Spektakli i madh do të zhvillohet në dy net Prime, përkatësisht të hënën dhe të premten, drejtpërdrejt në ekranin e Vizion+, ndërkohë që pjesëmarrësit dhe jetesa e tyre në fermën më të famshme në Shqipëri do të përcillen live 24/7 në dy kanale të dedikuara në platformën Tring, në cilësi absolute, në të gjitha paketat, tokësore, satelitore dhe OTT.