Alisson, ai që ia ka marrë dorën eleminimit të Barçës!

Sport

Triumfi i Liverpulit në “Anfield” përballë Barcelonës mori një karakter gati epik, duke pasur parasysh se për të dytin vit radhazi, katalanasit u eleminuan vetëm pak hapa larg finales, megjithëse kishin fituar ndeshjen e parë me 3 gola diferencë. E për të dytin edicion të Champions League, një përvojë të tillë si pjesë e skuadrës kundërshtare, e ka përjetuar vetëm një njeri: porteri Alison Becker, i cili duket se ia ka marrë dorën eleminimit të Barçës. Vjet kur vishte fanelën e Romës, braziliani përmbysi humbjen 4-1 në “Camp Nou” duke fituar 3-0 në takimin e kthimit në “Olimpik”. Kurse të marrtën, me Liverpulin bëri pak a shumë të njëjtën gjë, duke fituar 4-0 në fushën e vet, pasi kishte humbur 3-0 në Barcelonë. E madje, në të dy rastet, portieri brazilian ia doli të mos pësojë gol nga Messi me shokë gjatë 90 minutave të ndeshjes së kthimit, atë më vendimtaren.


Vetë braziliani që u transferua në verë nga Roma në “Anfield” për shifrën rekord të 73 milionë eurove, nuk e ka fshehur lumturinë për kualifikimin e “Reds”: “Ja që shkoi përsëri, ashtu sic ndodhi vjet me Romën. Besuam deri në sekondën e fundit të ndeshjes së parë, ku ishim edhe disi të pafat. Por me atë që bëmë në këtë ndeshjen e dytë do të thoja se e merituam finalen. Realizuam vërtet dicka të pabesueshme”, është shprehur fillimisht Alison.I pyetur mbi pritjet vendimtare përballë Messit, Alison u mjaftua të thotë se thjesht bëri detyrën e tij më së miri dhe se është i kënaqur që ndihmoi skuadrën, për të arritur në finale, që ishte objektiv kryesor. “Tani duam të bëhemi kampionë të Evropës dhe pasi eleminuam Barcelonën, kemi më tepër besim se mund t’ia dalim”, ka përfunduar portieri.