“Rikthimi” ka në qendër të tij historinë e dy grave, krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra për nga mosha, rangu social dhe niveli kulturor. Edhe pse asnjëra prej tyre nuk di asgjë për tjetrën, të dy personazhet tona do t’i bashkojë i njëjti fat tragjik dhe i mbinatyrshëm edhe pas vdekjes.

Adriana, është një kamariere e thjeshtë në një lokal, të cilës një gangster, Karlosi, kërkon t’i marrë borxhin e të vëllait. Pasi ajo nuk bie në grackën e pretendimeve të tij seksuale, ai tenton ta përdhunojë dhe më pas e vret. Monika Serrano, një pianiste shumë e famshme, një grua shumë pasur, e cila ka mbetur vejushë dhe ka dy vajza nga martesa e parë. Monika sapo është martuar për së dyti me një mashkull më të ri në moshë të cilin e adhuron dhe pandeh se dashuria është reciproke. Monika do ta gjejë veten përballë tradhtisë së mbesës së saj me burrin që dashuron dhe do të vdesë nga dora e tyre, duke i lënë kështu edhe të bijat në rrezik për jetën. Një histori plot suspansë, dashuri, hakmarrje që shkon përtej vdekjes, në të cilën dy shpirtra femërorë i bashkon një hajmali misterioze dhe një trup i përbashkët, me anë të të cilit do të përpiqen të vënë në vend drejtësinë dhe të marrin hak ndaj vrasësve të tyre.